Çdo 24 orë në Shqipëri, 90 bebe i presim në maternitete, 64 njerëz i përcjellim në varreza dhe 38 shqiptarë i përcjellim në kufi. Aritmetika nuk lë vend për debat. Çdo ditë janë 12 shqiptarë më pak.
Edhe pse në dekadën e tretë të tranzicionit, vrulli migrator nuk ka rënë. Sot nuk ikin më vetëm të rinjtë, të papunët dhe të pa shpresët, por po ikin njerëz të arsmuar, njerëz që janë në punë dhe njerëz që kanë diçka për të humbur.
Pas dekadave ku Amerika ishte magneti që tërhiqte shqiptarët për një jetë më të mirë, sot Amerika e shqiptarëve të shekullit XXI është Gjermania. Meka e re e shqiptarëve nuk po tërheq vetëm infermierët dhe mjekët, profesionistët dhe ata që kanë mbaruar arsimin profesional. Drejt Gjermanisë kërkojnë të shkojnë edhe plot të tjerë që për emërues të përbashkët kanë dëshirën për një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët.
Shqiptarët kanë emigruar historikisht, por edhe pse nuk është vend i dalë nga lufta, Shqipëria renditet në vendet e para për dëshirën për të emiguar. Një studim i fundit thotë se 52% e të pyeturve kanë dëshirë përt’u larguar.
Po cilat janë efektet (pozitive dhe negative) që do të vuajë vendi tani dhe në të ardhmen? A do të jemi pas 100 vjetësh po aq sa kemi qenë para 100 vjetëve (800 mijë banorë)?! 12 shqiptarët që mungojnë në apel çdo ditë, a do të zëvëndësohen me emigrantë nga bota e tretë?