Kanë qenë forcat e policisë që kanë shpëtuar në kohë një 50 vjeçar i cili pasi kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij, duke e qëlluar me bishtin e sëpatës dhe e pa se ishte pa ndienja, duke menduar se e kishte vrarë, ka tentuar t’i japë fund edhe jetës së tij duke u vetëvarur.
Burime të Panorama, bënë me dije se kishte disa kohë që marrëdhëniet e çiftit kishin pësuar krizë dhe sherret ishin shtuar mes tyre dhe e ndodhur në këtë situatë, gruaja kishte deklaruar se do ta ndante burrin.
“Edhe mbrëmë ata janë grindur sërish dhe kur gruaja e ka përsëritur se do ta ndante ai ka kaluar në krizë psiqike dhe e ka goditur në pjesën e pasme të kokës me bisht sëpate duke i shkaktuar plagë e duke e lënë pa ndjenja. Në këto kushte, ai ka kujtuar se bashkëshortja kishte ndërruar jetë ka tentuar të vetëvaret me litar në banesë”, thanë burimet për Panorama.
Më datë 06.03.2020, rreth orës 22:15, në lagjen nr.13, Durrës, shtetasi A.H.,50 vjeç, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, shtetases E.H.,42 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Më pas shtetasi A.H., ka tentuar të vetëvaret, por është shpëtuar në kohë nga forcat e policisë të cilët më pas e kanë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.