Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Në këtë kuadër, në të gjithë vendin, por kryesisht në Tiranë, janë shoqëruar 41 shtetas në ambientet e komisariateve, pasi nuk respektuan oraret kufizuese dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për t’u futur në banesa, të cilët në përfundim të veprimeve janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë.
Në Tiranë, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, konkretisht shtetasin A. R., 42 vjeç, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë për moszbatimin e urdhrit për të qëndruar në banesë, si dhe shtetasin D. T., 26 vjeç, pasi ka shkelur urdhrin për të qëndruar në banesë, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën 8 gram lëndë narkotike dhe dyshohet se përdorte një minoren për të shpërndarë lëndën narkotike.
