Muaji mars, gjithmonë të çon pas në kujtesë. Nëse pas shumë viteve marsi i 2020 do të na kujtojë ngujimin e detyruar nga një armik i çuditshëm, marsi i 1997 ka veçanësitë e veta. Kanë kaluar 23 vite nga ajo situatë kur shqiptarët u gjendën në udhëkryq. Tashmë pas kaq vitesh ngjarjet marrin tjetër dimension, jo të debatit të asaj kohe, por vetëm në dimensionin historik.
Nëse i rikthehemi asaj kohe në dimensionin historik, padyshim mes ngjarjeve të shumta bashkohësit kujtojnë një emër shumë të rëndësishëm në policinë e shtetit.
Ai është Pashk Tusha, një mirditas me një natyrë të qetë dhe mjaft i përgatitur në aspektin policor. I lindur në fshatin Kodër Rrëshen, në periferi të qytetit Rrëshen dhe i rritur jetim, zgjodhi që herët rrugën e shkollimit në degën e policisë. Ndërsa në vitin 1997 ky emër u bë mjaft i njohur, kur me mbështetejen e të gjitha forcave politike, me prozimin e Ndre Legisit dhe firmen e ministrit Belul Çelo u bë drejtor i policisë së Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, qyteti i vetëm në të cilin kishte mbetur pak në këmbë formacioni shtet.
Sot pas 23 vitesh, kur nuk është më në armatën e policisë z. Tusha i është kthyer shkrimit të kujtimeve. Këto të përmbledhur në një libër i mbetur akoma në dorëshkrim, për vetë situatat në marsin e 2020-tës. Është libër mjaft interesant me ngjarje dhe data, ndërsa sot kam zgjedhur një pjesë mjaft interesante për të cilën ka pasur mjaft hipoteza.
Bëhet fjalë për transferimin me helikopter nga burgu i Bënçës në Tepelenë për në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë, të liderit të opozitës së asaj kohe Fatos Nano, i cili prej vitit 1993 ishte arrestuar dhe dënuar me akuza shumë të diskutuara, për të cilat më vonë mori pafajsinë nga gjykatat.
Po le të kthehemi te aksionin “blic” për transferimin e njeriut më të rëndësishëm të opozitës së asaj kohe, kur vetë segmentet më të larta të atyre ditëve që ende ishin në këmbë, kishin informacione se burgu i Bënçës do të sulmohej për ta rrëmbyer të burgosurin “VIP”, për ta çuar në Greqi. (Shënimi i Aleksandër Ndoja)
Nga Pashk Tusha, pjesë nga libri në dorëshkrim: Jeta ime në Policinë e Shtetit
Takimi i parë më Fatos Nanon ka qenë shoqërimi i tij me helikopter nga burgu i Bënçës, për në burgun e sigurisë së lartë 313 Tiranë. Me datën 5 Mars, rreth orës 01:00 të natës më ka thirrur në zyrë Zv. Ministri i brendshëm Agim Shehu dhe më ka kërkuar tepër miqësisht, jo duke dhënë urdhër, që unë të nisesha me helikopter sëbashku me Zv. Drejtorin e përgjithshën të burgjeve Bedri Çoku e një punonjës policie të forcave speciale, për të bërë shoqërimin e Fatos Nanos nga burgu i Bënçës, për në burgun 313 Tiranë.
Mbaj mend se Zv. ministri ishte tej mase i shqetësuar për situatën në Tepelenë dhe informacionet që kishte ku dhe mi bëri prezent, se nëse Fatos Nano nuk do të merret sonte nga burgu, nesër në mëngjes do të sulmohet burgu i Bënçës, dhe bandat kriminale do ta marrin forcërisht Fatos Nanon dhe do ta shoqërojnë në Greqi. Unë nuk e pata të lehtë që ta pranoja këtë shërbim special të sigurisë së lartë, për faktin se edhe unë e dija se çfarë ndodhte në Tepelenë, ku pothuajse situata ishte jashtë kontrollit policor. Sapo kam dalë nga zyra e Zv. Ministrit kam kontaktuar me telefon me shefin e komisariatit të Tepelenës, Benart Çaushi të cilit i kam kërkuar një informacion të hollësishëm për situatën në qytet, por në mënyrë të veçantë për tek burgu, lartësitë e kodrave përrëth si dhe nëse mund të ketë njerëz të armatosur. Shefi i komisariatit më është përgjigjur së situata në qytet është normale, shumë e qetë, asnjë njeri nuk ka në lëvizje. Po kështu dhe tek burgu, situata është normale.
Duke menduar kohën në të cilën do të bëheshim gati për tu nisur si dhe rrugën që do bënim, i kam thënë zotit Çaushi, që të ulemi fillimisht në fushën e sportit të Përmetit dhe do të lidhemi me radio, për të më dhënë informacionin e fundit të sigurisë, pasi helikopteri do te ulet brenda në territorin e burgut dhe do të marrim një pako për ta shoqëruar në Tiranë.
Jemi nisur rreth orës 01:30, rreth orës 02:00 dhe nga biseda që bëra me radio nga Përmeti, mora përsëri informacion se situata ishte shumë normale dhe e qetë. Sapo helikopteri është ulur në territorine brendshëm të burgut, Zv. Drejtori i burgjeve dhe polici i forcave speciale kanë shkuar në dhomën e Fatos Nanos dhe i kanë komunikuar të bëhej gati me shpejtësi me të gjitha sendet personale, pasi do të shoqërohej për në burgun 313.
Gjatë kohës që unë isha me pilotin tek helikopteri isha shumë i stresuar, se mendoja se mund të kishim ndonjë goditje me anti-tank nga lartësitë përreth burgut. Unë i kisha hequr gradat nga supet për asye se mendoja nëse do më pyeste Fatos Nano se çfarë funksioni kisha, do ti thoja se jam polic shërbimi në Tiranë.
Në momentin që ishim bërë gati për tu nisur, Fatos Nano thotë se kam harruar makinën e rrojes në dhomë. Unë i kam thënë se çfarë makine është, ai u përgjigj se është një Big. I thashë hajde ikim se nuk kemi kohë, do të ta blej të re në Tiranë. Përgjigjja ishte: – Jo zoti polic, prona private është e shenjtë, mbrohet me dispozita kushtetuese. Nuk e kujtoj se kemi kërkuar për makinën apo jo, por mbaj mend se Fatos Nano ishte i qeshur dhe nga pamja e jashtme, të linte të kuptoje se po shkonte në ndonjë sebep gëzimi.
Sapo helikopteri është ngritur, Fatos Nano i kërkoi leje pilotit për të ndezur një cigare, kërkese të cilë ja ka konfirmuar për ta ndezur, dhe e ka pirë duke i pasur duart e lidhura. Kur po fluturonim mbi Kuçovë, Fatos Nano pyeti pilotin se ku jemi këtu, piloti ju përgjigj se jemi mbi Kuçovë. Zoti Fatos u shpreh se qenka zmadhuar Kuçova, unë ju afrova dhe i thashë se është zmadhuar e gjithë Shqipëria. Ai mu përgjigj se qenke polic bir k…… . I jam përgjigjur: – Mos më fyej se jam në krye të detyrës.
Pa zbritur tek fusha e helikopterëve në Tiranë ishin ndezur disa drita të rrugës së re, autostradës Tiranë-Vorë. Përsëri Fatos Nano pyeti se çfarë janë këto drita që shkëlqejnë në Tiranë, i thashë se janë dritat e autostradës Tiranë-Vorë. Sa kilometra ka për të përfunduar, më pyeti. Ju përgjigja edhe 15 km. Buzëqeshi dhe nuk vazhdoi më biseda ndërmjet nesh. Tek fusha e aviacionit, “pakon” ua kemi dorëzuar forcave speciale Reneas, për të bërë shoqërimin tek burgu 313. Nuk jam gëzuar ndonjëherë më shumë mbas shërbimit se sa në këtë rast, për faktin se operacioni i sigurisë së lartë përfundoi me sukses.
Fatos Nanon e dorëzuam shëndoshë e mirë pa asnjë shqetësim e rrezik për jetën e tij. Menjëherë i kam raportuar Zv. Ministrit Agim Shehu për shërbimin e realizuar, por edhe ato pak biseda intime që u bënë me të gjatë shërbimit. Me ka përgëzuar e përqafuar duke treguar edhe ai gëzim për shërbimin e realizuar sëbashku me Zv. Drejtorin e Përgjithshëm të burgjeve.
Takimi i dytë me Fatos Nanon ka qenë i datës 29 Qershor 1997, në orën 24:00 pas mbylljes së proçesit zgjedhor, nga Ministria e Brendëshme më njoftuan se tek hotel “Rogner” të kërkon për takim Kryeministri Bashkim Fino. Menjëherë kam vajtur në takim ku ishin në tavolinë duke darkuar Kryeministri Bashkim Fino, lideri Socialist Fatos Nano, Deputeti Kastriot Islami dhe Av. Maks Haxhia.
Pasi nderova Kryeministrin Fino, Fatos Nano më thotë: -Ulu Z. Tusha të pish një gotë verë. Z. Nano bëri vlerësime shumë pozitive për punën e policisë së Tiranës në bashkëpunim me forcat paqeruajtëse “ALBA” duke siguruar një proçes zgjedhor normal si dhe parandalimin e disa incidenteve të rënda gjatë proçesit të votimit në rrethin e Tiranës. Pas këtij vlerësimi Z. Nano më shtroi pyetjen: – A jemi takuar ndonjëherë sëbashku? Unë ju përgjigja se nuk e mbaj mend edhe për faktin se jam tepër i lodhur e i stresuar. Nano u shpreh: -A ta kujtoj unë rastin e takimit? Unë i thashë: -Dakort, nuk kam asnjë problem.
Nano bëri prezent takimin në burgun e Bënçës, gjithë bisedën gjatë shoqërimit me helikopter. Nuk besoj se ndonjë njeri mund të fiksojë bisedën pas 5 muajve me një polic “shërbimi” siç isha prezantuar. Këtë memorje mëndoj se e ka vetëm Fatos Nano, për të cilin në bisedë me shokë e miq për këtë rast e kam vlerësuar se Fatos Nano është “Kompjuter”. Ky vlerësim nuk ka lidhje me bindjet e mia politike të cilat gjatë këtyre 28 vjetëve i kam pasur të ndyshueshme tek kutitë e votimin për çdo 4 vjeçar. Në fund të bisedës Z. Nano tha: -A është e vërtetë biseda e bërë sëbashku? Unë i dhashë përjigje: -Më duket se po. Darka për mua ishte stresante për nivelin e lartë të të pranishmëve, ndërsa për pjestarët e tavolinës ishte shumë e gëzueshme, për faktin se PS kishte fituar zgjedhjet.
Aleksandër Ndoja