Këshilli i Bashkisë Mat zhvilloi sot një mbledhje tjetër jashtë radhe, në mënyrë elektronike, dhe miratoi fondin për t’u ardhur në ndihmë të moshuarve të vetmuar, familjeve me shumë fëmijë që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe familje në nevojë.
Në mbledhjen e zhvilluar online morën pjesë 18 nga 21 këshilltarët e Bashkisë së Matit.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë pranë të këtij këshilli, Halit Palamani sqaroi këshilltarët se: “Bashkia Mat ka vepruar drejt për tju gjetur pranë familjeve në nevojë. Bëhet fjalë për 1162 familje që do të furnizohen me një paketë ushqimore me vlerë 4302 lekë sejcila, për dy javë. Duke qenë se baza ligjore ështe në përputhje të plotë me legjislacionin përkates si; “Ligji për Qeverisjen Vendore”, “Ligji për Mbrojtjen Civile”, “Ligji për Buxhetin e Vitit 2020”, si dhe Vendimi i Këshillit Bashkisë Mat me nr.57 date 24.12.2019 “Për miratimin e Buxhetit të Vitit 2020”, jemi dakort për miratimin e përdorimit të fondit prej 5 milion lekë që kanë si destinacion blerjen e artikujve ushqimorë për familjet në nevojë.”
Shumica e këshilltarëve u shprehën se Bashkia Mat po punon me intensitet, korrektësi e transparencë në të gjithë territorin e Matit. /tirananews.al/