Himara është një nga zonat “më të nxehta” sa i takon politikës dhe toneve nacionaliste për shkak të ndikimit grek në këtë pjesë të Shqipërisë.
Konflikti mes grekëve dhe shqiptarëve ka qenë gjithmonë i ndezur në këtë zonë, ku herë me tone të buta e herë të ashpra nuk ka arritur të shuhet kurrë edhe pse vitet kalojnë.
Në një kohë që e gjithë Shqipëria është mbyllur për shkak të COVID -19, qarqet nacionaliste greke në jug të vendit po vijojnë veprimtarinë e tyre.
Sikurse shihni edhe nga këto foto, më 3 prill disa individë kanë ngritur një kryq të madh në Himarë, ndërkohë që ende nuk ka një veprim nga ana e policisë.
Vendosja e këtyre elementëve do të duhej që të bëhej vetëm me leje të autoriteteve vendore, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Nuk dihet nëse do të ketë reagim nga pushteti vendor apo policia në lidhje me provokimet e nacionalistëve grekë në Himarë.
Por kjo nuk është tentativa e parë. Edhe më herët qarqe nacionaliste greke kanë tentuar të shfrytëzojnë edhe besimin fetar të zonës për propagandë greke.
I tillë ka qenë dhe rasti në 2017, kur në një prej kishave të vendit në Dhërmi është vendosur flamuri grek dhe faqja greke në Facebook “Himara.gr” e ka postuar si arritje nga ku ka marrë edhe shumë komente nga shtetas grek që e përgëzojnë për gjestin.
Në 2013, do të kishte një tjetër përplasje, ku nuk do të mungonte as ndërhyrja e autoriteteve zyrtare greke.
Në gusht të atij viti, Gjykata Kushtetuese vendosi kthimin e Pallatit të Kulturës së Përmetit, bashkisë së këtij qyteti, i cili ishte zaptuar prej 16 vitesh nga Kisha Ortodokse. Përmbaruesit do të hiqnin kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe do të vendosnin atje flamurin shqiptar. Ky veprim do të sillte në atë kohë reagimin e fortë të Mitropolisë së Gjirokastrës.
Ministria e Jashtme greke përmes zëdhënësit të saj në atë kohë, Konstantinos Koutras do të shprehej se Greqia ishtë e shqetësuar për ngjarjet në Përmet.
“Forca për largimin e klerit dhe mbyllja e kishës – një ditë pas kremtimit të Ungjillëzimit të Virgjëreshës Mari si dhe pengimi i besimtarëve që t’i afrohen vendin të adhurimit fetar, dhe heqja e ikonave dhe enëve të shenjta të kishës janë akte të papranueshme dhe të dënueshme, pavarësisht çdo pretendim ligjor”, do të shprehej Koutras.
/ Tirananews.al


