Para se koronavirusi të mbërrinte në Shqipëri dhe gjithë vendi të izolohej, epidemiologia Areti Beruka, kryeinspektore për shëndetin në Tiranë u shpreh se mezi priste rastin e parë të infektimit duke habitur të gjithë njerëzit.
Por Beruka ka habitur sërish me deklaratën e saj në emisionin “Ditari” në A2CNN teksa është shprehur se është mirë që 60% e popullsisë të infektohet nga koronavirusi. Ajo është shprehur se infektimi në masë e ruan tufën, ashtu siç në fakt po bën Britania e Madhe, imuniteti i tufës.
“Shprehja është hequr nga konteksti. Kur thashë pres që të vijë rasti i parë, është mirë që çdo popullatë të kapet nga viruset për të krijuar atë që quhet “mbrojtjen e tufës” në imunologji. Virusi është si vaksinë natyrale, që në rast se nuk kap 60% të popullsisë, kjo popullatë është e pambrojtur. Hyrja e virusit nuk do vizë, nuk varet nga unë dhe nga askush. Këtë kam patur parasysh kur e kam thënë si mjeke. Mbrojtja që krijon, bën që kur të rikthehet virusi në vjeshtë, forca e tij do të jetë më e ulët pikërisht nga imuniteti që ka krijuar 60% e populates”, deklaroi Beruka.
