Qarku i Beratit rezistoi për mbi 10 ditë duke pasur vetëm një rast të infektuar me koronavirus, një 45-vjeçare në Roshnik. Ditën e sotme ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se është shtuar dhe një rast.
Burime për tirananews bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një 79-vjeçar nga qyteti i Poliçanit. Ai ishte vizituar para pesë ditësh në qendrën shëndetësore të Poliçanit, ku kishte marrë dhe mjekim por gjendja e tij nuk ishte përmirësuar.
Mëngjesin e të dielës i moshuari u dërgua me ambulancë në Berat ku shoqërohej nga i biri.
Pacienti u vendos në karantinë ku u bë konsulta me mjeken infeksioniste dhe hetimi epidemiologjik. Të njëjtat burime bëjnë me dije se djali që e shoqëronte kishte ardhur nga Greqia më 5 mars. 30-vjeçari ishte ankuar për shenja të lehta kolle, dhimbje muskulare, dhe temperaturë për të cilat kishte marrë mjekim ambulator në Poliçan. Për të dy u morën tamponët dhe babai rezultoi pozitiv, ndërsa i biri negativ.
79-vjeçari është transferuar për në spitalin infektiv në Tiranë. Me shumë gjasa djali ka qenë i infektuar dhe e ka kaluar në formën e lehtë, por ka infektuar të atin.
