Në lagjen “Drita” Burrel, në konviktin e ri, janë sistemuar prej muajsh futbollistët e skuadrës matjane të futbollit. Sportistët nga qytetet e tjera të vendit janë larguar prej një muaji, ndërkohë tre futbollistë brazilianë dhe një nigerian qëndrojnë në karantinë, secili në një dhomë, duke respektuar distancimin social dhe këshillat e dhëna nga specialistët. Futbollistët quhen Adriano Welber, Mauricio Maurizan, Luiz Felipe dhe Victor Kalu. Nigeriani Kalu thotë se ai ka ardhur te skuadra e Burrelit në janar të këtij viti, ndërkohë që më parë ka veshur bluzën e dy klubeve të tjera shqiptare. Që në fillim të intervistës ai shprehet se në qytetin verilindor kanë gjetur mbështetje dhe ndjehen mirë në të gjitha drejtimet.
“Ndonjëherë ndjehemi keq se na mungon futbollit, thotë Kalu. Ai na bën ne dhe çdo futbollist të lumtur. Prej një muaji qëndrojmë në konvikt, secili në një dhomë të veçantë. Është e vështirë për ne futbollistët të qëndrojmë të izoluar në një vend. Falenderoj Zotin për gjithçka, që ai na ka mbrojtur nga ky virus”, shprehet futbollisti i ardhur nga Nigeria.
Ai shton se ka gjetur mbështetje të vazhdueshme nga Bashkia e Matit, presidenti i klubit Agron Malaj, administratori Bajram Ballabani dhe drejtori teknik Klevis Gjoka.
Duke treguar se çfarë bëjnë gjatë ditës Victor Kalu pohon se zgjohen herët në mëngjes, stërviten në mjediset e brendshme të konviktit, kryesisht në koridore. Në mesditë dhe në mbrëmje katër futbollistët e huaj frekuentojnë restorantin që gatuan vetëm për ato.
I pyetur rreth trajtimit ushqimor Kalu nënvizon se: “Ushqimi është mjaft i mirë dhe cilësor. Në asnjë rast nuk kemi patur uri dhe gjithçka është organizuar mirë nga klubi i futbollit. Gjej rastin të falenderoj edhe qytetarët e Burrelit. Ato janë shumë bujar dhe të dashur”.
Futbollistët shprehen se komunikojnë gjatë gjithë ditës me të afërmit e tyre në Brazil dhe në Nigeri, por sipas tyre situata atje nuk është si në Europë.
Duke përfunduar prononcimin e tyre ata luten që matjanët ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë të vështirë. /tirananews.al/