Lehtësimi i masave do të bëhet gradualisht. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në komunikimin e pasdites me qytetarët në Facebook. “Këtu nuk bëhet fjalë për mbarimin e një lufte që po presim gjermanin e fundit të largohet dhe do këndojmë himnin. Do fillojë gradualisht hapja e makinave private. Por nëse ti e përdor makinën tënde që shkon në punë, për të bërë edhe gjëra të tjera, apo për të marrë edhe dikë tjetër me vete, atëherë ty të hiqet leja e drejtimit dhe të merret makina. Nuk bëhet fjalë për muaj, por për vite. Do të bëhemi gati edhe për hapjen e njësive tregtare. Por të gjithë ata që do hapin dyqanet duhet të përgatiten për masat mbrojtëse, që të jenë gati kur të nisim hapjen. Gjithsesi, siç e lajmërova kemi nisur përgatitjen për t’ju drejtuar Parlamentit për ndryshimet në Kodin Rrugor dhe Penal. Dhe shkelja e masave nuk është më shkelje administrative, por penale dhe çon në heqjen e lirisë tuaj. Ju nuk mund të dilni në lagje e të bëheni rrezik për të gjithë njerëzit.
Nëse shkon në pikën që merr në makinë persona të moshuar, të sëmurë dhe të mitur për të cilët ti nuk je i autorizuar, kjo është e patolerueshme. Për popullin nuk ka gjoba. Gjobat dhe ndëshkimet janë për ata që shqetësojnë popullin dhe kërcënojnë shëndetin e popullit dhe vënë në rrezik shëndetin e tyre. Nuk mund të vish ti me Covid në krah e të ma sjellësh mua e të më shkaktosh mort, larg qoftë”, tha Rama.
