Policia e Lezhës bën të ditur se në Gjormë të Kurbinit është arrestuar një 52-vjeçar i cili kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu.
Sipas policisë ai qarkullonte me kallashnikov me vete, ndërkohë që në shtëpi iu gjet një tjetër armë, dhe mbi 400 fishekë.
Burimet zyrtare thonë se është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale.
NJOFTIMI I PLOTE
Kurbin, Lezhë
Policia e Kurbinit parandalon një ngjarje të mundshme kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjormë”.
Qarkullonte me armë zjarri kallashnikov me vete, vihet në pranga 52-vjeçari.
Gjatë operacionit, 52-vjeçarit iu gjet në banesë edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov dhe një sasi fishekësh luftarak.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri, dy karikatorë dhe 413 fishekë luftarak.
Në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, efektivët e Policisë të Komisariatit Kurbin, si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Gjormë, Kurbin, një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar punën për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Gjormë”, në kuadër të të cilit, në afërsi të shkollës së fshatit, u kap në flagrancë 52-vjeçari B. H., banues në Gjormë, Kurbin, i cili qarkullonte me armë zjarri kallashnikov me një krehër me 28 fishekë luftarak.
Më pas, operacioni ka vijuar në banesën e tij, ku gjatë kontrollit Policia gjeti edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 30 fishekë dhe 355 fishekë të tjerë luftarak.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 52 vjeç, banues në Gjormë, Kurbin, i cili kishte tre muaj që kishte dalë nga burgu, pasi kishte kryer dënimin e dhënë në vitin 2013, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
