Thellohet skandali në Ministrinë e Brendshme! Teksa “Illyrian Guard” me “pronar” ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj ka hapur tenderin me vlerë 197 milionë e 772 mijë lekë të reja pa TVSH, të tjera shkelje dalin në dritë.
Marrja me qira operacionale “leasing” e sistemeve të alarmit e kamerave të vëzhgimit për objektet për 4 vite, me kushtin që tenderi të fitohet nga 1 operator i vetëm është një tjetër shkelje e kësaj strukture.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie Plarent Ndreca po përpiqet me të gjitha mënyrat që tenderi të zhvillohet në kushte të thella karantine. Ndërsa 2 milionë eurot të shkojnë pa zhurmë tek kompania e paracaktuar si fituese, shkruan portali Pamfleti.
Eshtë përpiluar dokumenti tip i procedurës së hapur për mallra që përmbledh njoftimin e kontratës mes autoritetit kontraktor që është “Illyrian Guard” të Lleshajt dhe firmës fituese.
I referohet procedurës së 21 prillit. Ajo që “kërcet” në këtë kontratë-tip është fakti se nuk do të ketë më rihapje të konkurimit. Kontrata do të lidhet sipas kërkesave të autoritetit kontraktor me operatorin ekonomik të suksesshëm, palë e marrëveshjes kuadër.
Dhe autoriteti kontraktor është kompania “Illyrian Guard”. Përcaktohet fondi limit si dhe modalitetet e tjera. Tenderi është me këtë objekt: Marrje me qira operacionale “leasing”, sisteme alarmi e kamera vëzhgimi për objektet për 4 vite afat; me kushtin që tenderi, të fitohet nga 1 operator i vetëm e jo me bashkim firmash.
Tenderi i zhvilluar para disa muajsh u anulua ndërkohë që administratori i “Illyrian Guard” që kishte zhvilluar tenderin e kaluar nuk është më në punë. Ndërkaq gjithçka është në dorë të sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca.
Me sa duket kompania e preferuar e Plarent Ndrecës në tenderin e kaluar nuk mundej të fitonte. Për këtë arsye Plarenti bëri atë që dinte më mirë duke mos zhgënjyer askënd: Ndryshoi çdo gjë në procedurë, nga “A” tek “Zh”, duke nisur nga forma e vlerësimit, duke e transformuar në një variant të ri të çuditshëm dhe të pangjashëm me procedurat e mëparshëm të tenderave, atë me pikëzim.
Ndërkohë që në tenderin e rishpallur me vlerë 2 miliardë lekë dyshohet se kanë ndryshuar dhe specifikimet teknike. Për t’ia përshtatur kompanisë së preferuar. Këtu del emri i kompanisë “Ratech”, kompania e skandaleve të mëdha me tenderat e sigurisë.
“Ratech” nuk la tender pa marrë te Ministria e Drejtësisë e deri në Kuvend, nga “byzylykët” tek siguria në Burgje, Kuvend, hidrovore etj.
Mbetet për të pyetur ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj nëse e di se kush është firma “Ratech” që po përgatitet të fitojë tenderin me objekt: Marrje me qira operacionale “leasing”, sisteme alarmi e kamera vëzhgimi për objektet për 4 vite afat?! Shpresojmë të mos e ketë ditur dhe ta mësojë përpara se të përmbyset gjithçka nga Sekretari i Përgjithshëm i tij.
E themi këtë, pasi duke parë paaftësinë e “Ratech”, dokumentet sërish Plarenti me miqtë e tij i ka bërë gabim, ndaj do t’i ndryshojë menjëherë këto ditë, duke i përputhur me këtë kompani që rezulton të jetë e Vojo Bregut, ish sekretarit të përgjithshëm të Bujqësisë në kohën e LSI-së shkruan Pamfleti.


