Një tjetër shqiptar ka humbur jetën në Itali, për shkak se rezultoi pozitiv prej disa ditësh nga Covid 19. Altin Hyso, babai i dy fëmijëve nuk ka mundur ta fitojë luftën, ndërsa për komunitetin italian dhe atë shqiptar kjo ishte një tragjedi dhe të gjithë janë të tronditur. Në emër të komunitetit italo-shqiptar në Valle Peligna, për familjarët e 45-vjeçarit të vdekur mbrëmë në spitalin e Chietit, një mesazh ngushëllimi vjen nga presidenti Luan Hallulli.
“Çdo shqiptar që jeton në Valle Peligna besoj se ndien keqardhje sepse po vajtojmë një të ri që ka qenë shembull për të gjithë ne në qytetin e Sulmonës, falë bujarisë dhe përkushtimit në punë’, thotë Hallulli, duke ngushëlluar familje në këtë moment të vështirë.
“Është një tragjedi që na ka mbërthyer në këtë moment të vështirë. Na vjen keq që nuk mund të marrim pjesë në ritet funebre. Por jemi përherë në dispozicion për të gjithë. Nuk pata rastin ta njihja mirë, por di që ishte punëtor i madh dhe të gjithë e donin”. Komuniteti italo-shqiptar iu është bashkuar ngushëllimeve për familjen.
‘Luftove deri në fund kundër një përbindëshi të tmerrshëm’, komentuan disa miq. Varrimi i të ndjerit u bë sot në orën 11 në varrezat e Sulmonës.
