Ashtu siç ka lajmëruar më herët kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sot nis faza e dytë e hapjes ku 38 bashki tashmë janë shpallur zona të gjelbra, ku qytetarët mund të jenë të lirë të lëvizin por gjithmonë duke respektuar rregullat e distancimit fizik.
Ministrja Manastirliu njoftoi se duke filluar nga sot dhe në 2 javët në vazhdim do të zgjerohet akoma dhe më shumë numri i aktiviteteve që do të lejohen të hapen.
“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e rihapjes, e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.
Gjithashtu, për ata që do të vijnë nga jashtë vendit, në zonat e cilësuara si të kuqe, do të lejohet karantinimi në shtëpi.
Faza tjetër e hapjes do të nis javën e ardhshme ku parashikohe të hapen dhe disa aktivitete të tjera, si qendrat estetike, klinikat dentare, qendrat tregtare dhe një liri më e madhe e makinave pa autorizim brenda qarqeve.
Ndërsa faza që mund të konsiderohet edhe si fundi i karantinës, do të jetë më 18 maj. Pas kësaj date, do të lejohet hapja e bareve dhe restoranteve, por në pjesën e tyre të jashtme, duke i mbajtur të bllokuara përkohësisht pjesët e brendshme të këtyre bizneseve.
