Anëtari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të paraqitet para Prokurorisë pasi kjo i ka dërguar një fletëthirrje.
Hetimi për Hamitajn nisi pas akuzave të PD-së në korrik të vitit të kaluar, se ai ka falsifikuar certifikatën e anglishtes. E për këtë Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimet që nisën kryesisht mbi bazën e publikimeve të bëra nga Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, me kërkesë të kryeprokurores Arta Marku.
Sipas PD, “dokumentat provojnë se certifikata e anglishtes së anëtarit të vettingut nuk e ka vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Nga sistemi TIMS rezulton se Lulzim Hamitaj nuk ka qenë në Shqipëri, kur është pajisur me certifikatën e anglishtes”.
Nëse akuzat e PD konfirmohen kemi të bëjmë me një rast flagrant që vë në pikëpyetje integritetin e vendimeve të marra nga ky komisioner në kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Akuza e PD është më serioze që është bërë, deri më sot, ndaj anëtarëve të Vettingut ku jepen dhe prova të pretenduara për falsifikim.
