Tani punët po ecin mirë për Keidi Baren. Ai ka zënë vend në formacionin e ekipit të Malagas, ndërsa u bë pjesë e ekipit vitin e kaluar. Mesfushori i kombëtares nuk ishte llogaritur fillimisht të luante me ekipin e parë, teksa tri ndeshje kanë mjaftuar për të bindur trajnerin Muniz, që Bare të ketë një vend titullari.
Këtë të martë mesfushori ka folur në një konferencë për mediat në Spanjë, teksa ka treguar se i është mirënjohës trajnerit dhe shokëve të ekipit, që tashmë është pjesë e titullarëve te Malaga.
“Unë jam shumë i lumtur. E gjithë kjo është falë shokëve dhe trajnerit tim. Shpresoj të luaj më shumë ndeshje si titullar. Nëse punon mirë dhe bën përpjekje, mundësia do të vij”-është shprehur Bare. I emocionuar në konferencën e tij të parë për shtyp te Malga, Keidi Bare ka rrëfyer ndër tjera se skuadra nuk është në presion.
“Presion, jo. Ne luajmë futboll dhe të gjithë na pëlqejnë. Unë nuk shoh presion”. Në fillim, Bare, erdhi për të përforcuar ekipin e dytë, (Atletico Malagueno), por trajneri Muniz ka vendosur ta llogarisë në mesfushë për ekipin e parë. “Kanë kaluar gjashtë muaj, nuk është shpejt. E vërteta është se unë nuk e prisja, sepse erdha për të ndihmuar ekipin e dytë, dhe tani jam këtu falë trajnerit”-është shprehur Bare.
Mesfushori shqiptar nuk ndihet i kërcënuar as nga konkurrenca, teksa së fundi është bashkuar me ekipin Erik Moran, një konkurrentë direkt për Baren. “Ai vjen për të përmirësuar grupin dhe është i mirëpritur”-është shprehur Bare.
Në fund Keidi Bare i është përgjigjur gazetarëve në lidhje me intersin e tyre, nëse mesfushorin e kombëtares shqiptare e ndjekin bashkëkombasit e tij shqiptarë. Për këtë Bare është përgjigjur me të qeshura, “Ata më ndjekin pak”.
