Një 57-vjeçare është arrestuar nga policia e Durrësit pasi ka kanosur me armë zjarri fqinjën e saj 29-vjeçare.
Mësohet se shkak i konfliktit të tyre ishte thjesht një…vend parkimi.
Burime policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Arma e kanosjes është gjetur më pas në një shtëpi të braktisur disa metra larg banesës së të arrestuarës dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
NJOFTIMI
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen N. P., 57 vjeçe, banuese në Hamallaj, Durrës.
Kjo shtetase, më datë 14.05.2020, në Hamallaj, Durrës, ka kanosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasen A. K., 29 vjeçe, banuese në Tiranë.
Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një shtëpi të braktisur, disa metra larg banesës së shtetases N. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe 27 fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.
