Autoriteti i Konkurrencës, pasi ka konstatuar shkeljet e shumta të FSHF-së sa i përket të drejtës TV dhe shitjes së biletave për ndeshjet e kombëtares, ka marrë vendimin që të ndëshkojë institucionin e futbollit duke e ndryshuar atë për ta bërë konform ligjeve në territorin e Shqipërisë. Vendimet variojnë nga ndryshimi i strukturës së shitjes dhe transmetimit të ndeshjeve kombëtare, duke e ndarë në shumë platforma, te rritja e ndikimit të Ligës e deri te publikimi i mënyrës se si shpërndahen të ardhurat që vijnë nga ndërkombëtarët për të bërë gjithçka transparente.
Kështu, FSHF do të jetë e detyruar që të drejtën televizive të kampionatit tashmë të mos e shesë për një peridhë më të gjatë se 3 vite dhe t’ua ndajë operatorëve të ndryshëm, duke bllokuar kështu monopolin. Njëkohësisht, Kategoria Superiore dhe Kupa e Shqipërisë do të jenë dy paketa të ndryshme në treg në mënyrë që të ketë më shumë konkurrencë e opsione dhe për këto dy aktivitete, për të gjeneruar të ardhura.
Sipas vendimit të djeshëm, edhe përmbledhjet e ndeshjeve nuk do të jenë ekskluzive, si janë tani, por u hapet rrugë operatorëve të ndryshëm. Pikë e rëndësishme është përfshirja e Ligës Profesioniste, me një rol aktiv në shitjen e të drejtës televizive të aktivitetit të saj
Ndërkohë, i është bërë e ditur FSHF-së se duhet të ndryshojë mënyrën se si shpërndan fondet ndërkombëtare, duke e detyruar që të bëjë gjithçka publike në faqen e saj të internetit. Transparencë dhe publikim duhet bërë edhe për mënyrën se si përzgjidhen sponsorët. Një pikë e rëndësishme është edhe zhdukja e konfliktit të interesit si në rastin e presidentit Duka, apo ortakëve të tij që kanë përfituar nga shitja e paketës së të drejtës TV.
Njëkohësisht, i është kërkuar institucionit të futbollit që të hartojë metodologji për çmimet e biletave të ndeshjeve të Kombëtares dhe do të jetë Autoriteti i Konkurrencës ai që do të vendosë pastaj nëse përmbushin standartet e lejuara apo jo. Nëse FSHF nuk përmbush këto detyrime brenda 120 ditëve, ajo do të ndëshkohet me gjobë deri në 5% të xhiros mesatare ditore.
Tashmë fjala i kalon FSHF-së e cila mund të apelojë këtë vendim.
