Bundesliga do të jetë kampionati i parë i madh europian që rifillon pas ndëprprerjes për shkak të pandemisë dhe skuadrat prej javësh përgatiten për një aktivitet i cili do të zhvillohet në kushte ekstreme dhe me një kalendar më të ngjeshur. Si rrjedhojë, shumë klube kanë afruar talentet më të spikatur nga ekipet e dyta apo akademitë, duke i dhënë mundësinë që të bëhen pjesë e skuadrës së parë. Shumë prej tyre mund të gjejnë minuta në fushë dhe në radhët e Shalkes, kjo mundësi do të jetë edhe për një talent shqiptar.
20-vjeçari Jason Ceka ka kaluar në të gjitha ekipet e moshave të Shalkes dhe tanimë është pjesë e skuadrës së dytë, ku është titullar fiks dhe ku ka shkëlqyer si një mesfushor organizator. Pikërisht aftësitë e tij kanë shtyrë Shalken që të besojë te Ceka i cili ka edhe nënshtetësinë gjermane. Ai po stërvitet prej dy javësh me ekipin e parë dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit që në këtë fundjavë kur rifillon kampionati, në të cilën Shalke do të luajë ndaj Borusia Dortmund në derbin e Ruhrit.
Ceka prej kohësh ka shprehur dëshirën e tij që të veshë fanellën kuqezi të Shqipërisë por deri tani nuk e ka pasur të mundur në ndeshje zyrtare me asnjë nga përfaqësueset e moshave. Djaloshi menaxhohet nga një emër i njohur i futbollit gjerman, ish-futbollisti e më pas drejtori sportiv i Bajern Mynih, Kristian Nerlinger
