Këtë herë ka qenë më i drejtë për drejtë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cil ka deklaruar se po kërkohet të jepet veriu për njihje nga Serbia.
“Nëse duan të rikthejnë tregun, ne e duam njohjen, nuk jam duke tepruar apo duke u prishur me ndonjë mik, ne po veprojmë ashtu siç vepron bota moderne, më jep njohjen- ta kthejë tregun”, është shprehur Haradinaj gjatë një fjalimi në akademinë përkujtimore në 22-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.
Ai theksoi se taska 100% për produktet serbe dhe nga Bosnje Hercegovina do të qëndrojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Është mirë me qenë të sinqertë me Amerikën dhe Evropën. Kur e kemi pasë për vete e ju tutshim Speciales jemi mundu me e rrëzu. S’na nijke që amerikanët thoshin po na ngulni thikë pas shpine. Kur e kemi tani me nxjerrë njohjen, po thonë jo se e prishim partneritetin me SHBA-të. Nuk ua jap tregun më Serbisë pa e marrë njohjen. Kjo nuk është kundër Amerikës, veç duhet t’ua shpjegojmë. Duam njohjen. Nuk japim tokë as nuk tolerojmë ‘Republika Srpska’ brenda Kosovës, por ua kthejmë tregun për njohje”, deklaroi Haradinaj.
Ai vlerësoi lart veprimtarinë e tyre, dhe theksoi sakrificën që kishin bërë duke lënë armët e tyre për të tjerët.
Ndërkaq mediat kosovare shkruajnë se Haradinaj do të ketë një telefonatë të drejt për drejtë me Shtëpinë e Bardhë, e saktësisht me John Bolton, këshilltari për sigurinë nacionale të SHBA-së.
Ndërkohë sipas Radios Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj ka kritikuar liderët politikë, përfshirë edhe ata që janë në koalicionin qeverisës për shkak të siç ka thënë ai, deklaratave se pezullimi i tarifës duhet të bëhet për të ruajtur miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Ai rikujtoi ditët kur të ata, sipas tij, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, synonin ta shfuqizonin Ligjin për Gjykatën Speciale për krime të luftës.
“Është mirë që ne të jemi të sinqertë me miqtë tanë, me SHBA-në, me Evropën dhe të tregojmë arsyen e marrjes së këtij vendimi. Kur e kemi pasur për vete, që u frikësonim nga Gjykata Speciale, jemi munduar ta rrëzojmë ligjin në Kuvend, edhe unë kam pas dëshirë të shfuqizohet. Edhe ne nuk dëgjonim se amerikanët thoshin se po na ngulni thikën pas shpine. Njerëzit e njëjtë kemi qenë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, të njëjtit kemi qenë”, ka theksuar Haradinaj.
Duke u ndërlidhur me idenë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për pezullimin e tarifës për 120 ditë, në mënyrë që të vazhdohet me procesin e dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se nëse ndodh ky lloj pezullim, atëherë sipas tij, nuk do të ketë më nevojë për taksë.
“Në këtë rast, ai mall që hynë për 120 ditë mbetet këtu për 10 vjet”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.
