Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat, duke përsëritur gatishmërinë e tij dhe të shumicës qeverisëse për dialog, por duke përjashtuar dhunuesit dhe partitë politike që nuk distancohen nga aktet e dhunshme.
“Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”, shkruan Rama, duke theksuar se dialogu mbetet i hapur për të gjitha palët që distancohen nga dhuna.
Kreu i qeverisë nënvizoi se protesta është një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna përbën krim dhe nuk do të tolerohet.
“Protestat janë një E DREJTË, ndërsa Dhuna është KRIM dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik”, shprehet Rama.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë durim dhe të mos bien pre e asaj që i cilësoi si presion nga manipuluesit mediatikë dhe ndikimi i rrjeteve sociale.
Në reagimin e tij, kryeministri paralajmëroi gjithashtu se protestuesit duhet të distancohen nga personat që kryejnë akte dhune, pasi, sipas tij, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi financiare njësoj si ata.
“Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata. Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre”, shkruan Rama.
Ai përsëriti se është i gatshëm të zhvillojë dialog me këdo, përveç atyre që ushtrojnë dhunë apo forcave politike që nuk distancohen prej saj.
Reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama e ka shoqëruar me një fotografi nga protesta të zhvilluara në vende të tjera europiane dhe jo vetëm, duke e vendosur mesazhin e tij në kontekstin e protestave dhe zhvillimeve politike.
