Beogradi ka reaguar me shpejtësi dhe ka konsideruar politik vendimin e Podgoricës për të refuzuar hapjen e kufijve me Serbinë. Të gjithë zyrtarët e lartë serbë kanë reaguar me deklarata të ashpra dhe kanë njoftuar marrjen e masave bllokuese për Malin e Zi.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabić deklaroi se ky është një mesazh i qartë që serbët janë të padëshirueshëm në Mal të Zi dhe i bëri thirrje qytetarëve të saj që të shmangin pushimet e verës në vendin fqinj.
“Nuk do të përgjigjemi me masa reciproke, nuk do të ndalojmë qytetarët e zakonshëm malazez të vizitojnë Serbinë, por do të ndalojmë më fuqishëm hyrjen e kriminelëve malazez dhe përfaqësuesve të grupe të ndryshme mafioze nga Mali i Zi, të cilët kanë vrarë dhe kanë terrorizuar prej dekadash qytetarët tanë”, ka thënë Brnabić.
Por ndërkohë që kryeministrja serbe tha se nuk do të merren masa ndaj Podgoricës, Drejtoria e Aviacionit Civil në Serbi ka informuar se linjës ajrore kombëtare të Mali të Zi, “Montenegro Airlines”, i është pezulluar ulja e avionëve në aeroportin e Beogradit, “Nikola Tesla”. Qeveria malazeze reagoi duke thënë se Serbia nuk ka asnjë bazë për këtë vendim pasi avionët e “Air Serbia” nuk janë ndaluar të ulen në Mal të Zi, shkruajne mediat e huaja.
Ndërkohë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se vendimi për të pezulluar uljen e avionëve të Montenegro Airlines është përgjigjja më e sjellshme dhe më elegante që mund të jepte Beogradi pasi, edhe ai, është i mendimit se “nuk ka asnjë dyshim që vendimi i Malit të Zi është politik”. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçic paralajmëroi se kjo lëvizje e Podgoricës do të dëmtojë më së shumti qytetarët malazez.