Policia e Elbasanit ka arrestuar Ervis Daka, 33vjec nga Shënkolli, me precedent kriminal, të cilit iu gjetën në shtëpi armë zjarri, silenciator jelek antiplumb dhe municione luftarake.
Operacioni “Shënkolli” është realizuar nga policia e Elbasanit dhe forcat RENEA, në bazë të planit të masave për kontrollin e personave me percedent dhe të dyshuar për armëmbajtje pa leje.
NJOFTIMI I PLOTE
Elbasan
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shënkoll”.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Forcat Speciale RENEA, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen tri armë zjarri, silenciator, municion luftarak dhe jelek antiplumb.
Vihet në pranga 1 person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndaj personit.
Në kuadër të zbatimit të planit të masave për kontrollin e personave me precedent dhe të dyshuar për armëmbajtje pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Shënkoll”.
Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. D. 33 vjeç, banues në lagjen Shënkoll, Elbasan, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, konkretisht: një kallashnikov, dy pistoleta (njëra prej tyre me silenciator ), 170 fishekë dhe një jelek antiplumb.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
