Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një vizitë pune në Porto Romano, në kuadër të nisjes së zbatimit të Sistemit të Plumbçeve Elektronike (E-Seals), një mekanizëm i ri për monitorimin dhe kontrollin e transportit nën mbikëqyrje doganore.
Gjatë vizitës, Malaj u njoh nga afër me funksionimin e sistemit të ri, i cili mundëson monitorimin në kohë reale të autocisternave, nga momenti i nisjes deri në mbërritjen në pikën doganore të daljes, si dhe identifikimin automatik të devijimeve nga itinerari, ndalesave të pazakonta apo tentativave për cenimin e plumbçeve elektronike.
Zbatimi i këtij sistemi është pjesë e procesit të modernizimit dhe digjitalizimit të administratës doganore, në përputhje me ndryshimet e miratuara në kuadrin rregullator doganor, të cilat synojnë kalimin gradual nga kontrollet tradicionale fizike drejt përdorimit të teknologjive inteligjente të gjurmimit dhe monitorimit të mallrave në tranzit.
Ministri Malaj theksoi se sistemi i ri sjell përfitime të drejtpërdrejta si për administratën doganore, ashtu edhe për operatorët ekonomikë.
“Është një proces i ri, i cili jo vetëm lehtëson procedurat për të gjithë ata operatorë ekonomikë që bëjnë transportin e hidrokarbureve dhe tranzitin e tyre nëpërmjet territorit të Republikës së Shqipërisë, por, nga ana tjetër, ndihmon autoritetet doganore në luftën kundër kontrabandës së hidrokarbureve, si dhe mbron të ardhurat publike”, u shpreh Ministri Malaj.
Ministri evidentoi katër përfitimet kryesore të sistemit të ri: mbrojtjen e të ardhurave publike, rritjen e eficiencës për operatorët ekonomikë, uljen e kostove operacionale të administratës doganore dhe forcimin e luftës kundër evazionit dhe kontrabandës.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, shpjegoi se më parë transporti i hidrokarbureve në tranzit realizohej përmes shoqërimit fizik të autocisternave nga administrata doganore, duke krijuar vonesa dhe grumbullime prej 30–40 autocisternash në terminal. Me sistemin e ri, pas përfundimit të procedurave të plumbosjes, autocisternat mund të nisen pa pritur formimin e kolonave, ndërsa lëvizja e tyre monitorohet elektronikisht gjatë gjithë itinerarit.
Salla e Monitorimit ndjek në kohë reale vendndodhjen, itinerarin dhe gjendjen e plumbçeve elektronike, duke marrë sinjalizime automatike për çdo devijim, ndalesë të pazakontë apo tentativë ndërhyrjeje. Këto sinjalizime shërbejnë për vlerësimin e riskut dhe përcaktimin e kontrolleve të nevojshme.
Gjatë fazës pilot, nga data 16 deri më 31 tetor, përmes këtij sistemi janë monitoruar 581 udhëtime, duke krijuar një bazë për përmirësimin e mëtejshëm të procedurave doganore.
Zbatimi i Sistemit të Plumbçeve Elektronike shënon një tjetër hap drejt modernizimit dhe digjitalizimit të administratës doganore, duke forcuar kontrollin kundër evazionit dhe kontrabandës, si dhe mbrojtjen e të ardhurave publike.
