Teksa e gjithë bota ka kthyer sytë nga protestat që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër policisë, duket se Franca është në prag të një skandali të ngjashëm.
Disa komente të bëra nga punonjësit e policisë dhe xhandarmërisë franceze në një grup privat në Facebook, janë bërë publike në media dhe kanë ngjallur zemërimin e qytetarëve. Në këto komente të policëve francezë, ka deklarata raciste dhe seksiste ndaj personave që kanë qenë viktima të brutalitetit të policisë.
Në këtë grup privat në Facebook, punonjësit e policisë dhe xhandarmërisë tallen me qytetarët e dhunuar nga policia dhe përdorin terma racistë. Për këtë ngjarje ka reaguar ministri i Brendshëm i Francës, i cili i ka konsideruar të papranueshme këto komente dhe që baltosin uniformën e policisë, nëse provohen se janë të vërteta.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Francës ka nisur një hetim për punonjësit e policisë që janë pjesë e atij grupi privat në Facebook. Ata do t’u nënshtrohen një hetimi disiplinor. Edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë franceze kanë dënuar komentet e pahijshme dhe i kanë konsideruar si “veprime të mjerueshme të disa individëve”. Ndërsa kritikët thonë se racizmi është një problem sistematik në Francë.