Një histori e dhimbshme ajo e Luljeta Fecanji, një nënë nga Korça e cila kërkon ndihmë për djalin e saj 37-vjeçar i diagnostikuar me skizofreni të shfrenuar prej 20 vitesh.
Ai jeton në një çati me nënën e tij duke ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj saj.
Para 6 ditësh ishte hera e fundit kur Luljeta është dhunuar nga i biri, i cili madje përdor rregullisht edhe lëndë narkotike.
Luljeta denoncon situatën ku ndodhet në media dhe kerkon ndihme.
“Djali ka 20 vjet që ka përdorur drogë dhe pas shumë kohësh u diagnostikua që vuan nga një sëmundje mendore, skizofreni e shfrenuar. E kemi kuruar dhe në Tiranë dhe në Elbasan. Tani kam 4 muaj që e kam në shtëpi. Unë e di se si, me frikë të më vrasë tani të më vrasë pastaj. Kërkon gjëra që unë nuk mund t’ia plotësoj dot dhe është i dhunshëm. Më rreh, më bën. Kam vajtur tek doktori më thotë nuk e pranon Elbasani. Dhe në polici kam vajtur, vijnë ata ai thotë jo nuk e godas. Më ndihmoni. Jam dhe vetëm, burri më ka vdekur se kur ishte ai, përgjigjej ai, vinte vërdallë, e shtronte. Unë nuk jam në gjendje, jam grua, është 37 vjeç djalë. Ai është i paparashikueshëm. Tani është mirë pastaj nuk dihet. Fle me frikë. Para 5-6 ditësh më ka dhunuar. Policia më dha urdhër mbrojtje. Jetojmë në një shtëpi. Nuk kam vëllezër as motra. Jam jetime. Ata thonë ta detyrojmë të bëjë krim që ta çojnë në spital. Të më vrasë mua pastaj ta çojnë në spital”, rrëfeu nëna e 37-vjeçarit të sëmurë.
Rikard Fecanji, është pacient prej shumë vitesh në qendrën komunitare të shëndetit mendor në Korçë, i klasifikuar për skizofreni të shfrenuar.
Në një komunikim jashtë kamerave me drejtorin e kësaj qendre Roland Lalaj, ai u shpreh për News 24, se ky shtetas ka pasur më shume se 15 shtrime në spital psikiatrik.
Ai shton se ngërçi i vetëm është ne spitalin psikiatrik të Elbasanit, pasi janë shumë të rezervuar me shtrimet edhe për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
