Një tjetër zbulim me rëndësi është bërë nga astronomët. Ata aksidentalisht zbuluan një galaktikë të lashtë, e cila ka qenë “e fshehur” afër galaktikës sonë. Sipas shkencëtarëve, kjo galaktikë kompakte e yjeve mund të jetë e vjetër aq sa edhe vetë kozmosi.
Studiuesit besojnë se ky zbulim mund të shërbejë për hulumtimin e mëtejshëm të gjenezës së kozmosit. Kjo galaktikë ndodhet 30 milionë vjet dritë larg galaktikës sonë, por është aq e errët, saqë u zbulua vetëm kur hulumtuesit ishin duke kërkuar diçka krejtësisht tjetër.
Galaktika u zbulua ndërsa shkencëtarët ishin duke e përdorur teleskopin “Hubble Space” për të vrojtuar yjet e bardhë në një grumbull yjesh, të quajtur “NGC 672”. Ata shpresonin që t’i përdorin këto yje për ta përcaktuar vjetërsinë e grumbullit qiellor.
Por ndërkohë që po e kryenin këtë vrojtim, hulumtuesit panë një grumbull të vogël yjesh në këndin e zonës që po e vrojtonin. Pas analizimit të kësaj strukture, ata arritën në përfundim se këto yje nuk i përkisnin grumbullit të yjeve që po e vrojtonin, por në fakt ndodheshin miliona vjet drite larg objektit kryesor të vrojtimit me teleskop.
Zbulimi i ri është emërtuar “Bedin 1”. Kjo galaktikë është disa herë më e vogël se “Rruga e Qumështit”. Bazuar në karakteristikat e kësaj galaktike, shkencëtarët e kanë klasifikuar atë në kategorinë e galaktikave të vogla sferoidale.