Shqipëria mori një borxh prej 650 milion eurosh në tregjet financiare ndërkombëtare për të përballuar krizën ekonomike të shkaktuar si pasojë e pandemisë Covid-19. Në një intervistë për ”Ora News”, ish-Ministri i Financave dhe anëtari i Këshillit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë Ridvan Bode, tha se marrja e eurobondit ishte e pashmangshme në situatën në të cilën ndodhet vendi. Sipas tij, borxhi publik është instrumenti më i përshtatshëm për të përballuar krizën.
Ridvan Bode tha se: ”Instrumenti i zgjedhur për mua është i përshtatshëm. Jo sepse ka kosto më të ulët por sepse është më i sigurt, është më afatgjatë, dhe jep një kontribut në ekonominë shqiptare sepse fut para të freskët në një periudhë që ka nevojë. Deficiti buxhetor do jetë më i madhi historik që ka pasur ndonjëherë vendi dhe ka nevojë të financohet. Sigurisht që borxhet janë kosto shtesë. Nuk shlyhet vetëm borxhi por edhe interesat. Kjo e bën borxhin më të kushtueshëm në krahasim me instrumentet e tjerë, por kur ekonomia kërkon të stimulohet, apo në rastin tonë edhe të fatkeqësisë natyrore, rritja e deficitit dhe borxhit publik bëhet e pashmangshme. Sot e gjithë bota i është drejtuar rritjes së deficitit dhe borxhit publik si instrumente për të zhbllokuar ekonominë si pasojë e pandemisë dhe karantinës.”
Bode tha se borxhi në perspektivë është i keq por është i domosdoshëm për të mos bllokuar ekonominë apo mirëqënien.
Ish ministri Bode shtoi: ”Ky borxh sigurisht do dëmtojë kapacitetin tonë afatmesëm, afatgjatë për të marrë borxh dhe për të qenë kompetitivë në tregjet financiare globale, por mendoj që kështu u gjykua për të kapërcyer situatën. Rritja e borxhit publik, përveç nevojës për të shlyer huanë e marrë ndër vite, do të implikojë edhe kostot që vijnë nga interesat e borxhit. Ne kemi kontraktuar një borxh publik i cili nuk bazohet në norma fikse interesi. Borxhi është i keq në perspektivë, por është i domosdoshëm në një moment të caktuar për të mos bllokuar tërësisht ekonominë apo për të provuar më të keqen që do ishte degradim i ekonomisë së vendit apo i mirëqënies sociale. Është një marrëveshje ose pazar që bën politika e momentit me të ardhmen.”
