Majkëll Ngo nuk mendon se çështja e titullit është e mbyllur dhe pret që matematika ta thotë një gjë të tillë. “Nuk e mendoj personalisht, duhet të fitojmë edhe disa ndeshje dhe pastaj gjithçka do të jetë në rregull”, tha sulmuesi i Tiranës në “Pressing”.
Ai shpjegoi më pas se ku ndryshoi kjo Tiranë nga ajo e fillimit të sezonit dhe cilat ishin problemet e Memës që korrigjoi Egbo. “Praktikisht në fillimin e sezonit nuk e dinim kush ishte formacioni titullar dhe shumë lojtarë ndryshoheshin. Ndikoi psikologjikisht te disa lojtarë që nëse liheshin jashtë nuk paraqiteshin mirë në ndeshjen tjetër, ndaj krijoi presione, tension në këto ndeshje. Kur e gjetëm më vonë, kur Egbo erdhi në drejtim, gjetëm ritmin, gjetëm mirëkuptimin, gjetëm mënyrën si të luajmë bashkë me këtë formacion. Kjo tregohet se filluam të bënim fitore, ajo rriti shpirtin e skuadrës dhe ja ku jemi.
Ndjej se Egbo ishte pak më i ashpër por edhe i ndershëm. Menjëherë ai gjeti një formacion të fortë, ku kuptonim njëri-tjetrin në fushë dhe e tregoi me fitoret që morëm. Mbrojtja u stabilizua dhe çdo gjë shkoi në vend.
Nuk ndjej se Mema dështoi, thjesht se ndryshoi shumë ekipin se ishte i pavëndosur në formacion. Nuk e nisëm me Memën me të njëjtin ekip, po shënonim gola kur Mema ishte trajner. Shënonim shumë por skuadra ishte jo solide, pësonim shumë gola. Ne mungonim lidership që nga pas në majë, duhen lider në çdo linjë të skuadrës. Jam i sigurt që ishte e vështirë atë kohë për këtë arsye”, tha Ngo.
