Humbi dy vite më parë, gjendet në Lajpcig të Gjermanisë, Elsi Danaj. 27-vjeçari kishte humbur kontaktet me familjen, pasi kishte pak muaj që jetonte si azilant në një kamp. Falë një grupi shqiptarësh, emigrantësh në Gjermani u arrit në gjurmët e të riut nga Durrësi. Pasi kishin parë emisionin ‘Pa Gjurmë’ identifikuan 27-vjecarin në një kamp në Lajpcig. Nga komunikimi që stafi pati me Elsin, dukej se ai kishte kaluar probleme, ndërsa nuk refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të bëra. Me gjetjen e tij mësohet edhe arsyeja pse ai nuk kishte komunikuar me familjen.
Ndarja nga një shtetase gjermane dhe mungesa e familjarëve pranë, në atë moment përjetimi kishte bërë që Elsi të pësonte një tronditje, fakt të cilin e pohoi edhe nëna. Fillimish ajo dëgjoi zërin e të riut në një komunikim me telefon dhe më pas pa një foto të fundit, të siguruar një natë më parë të 27-vjecarit. Nëna e Elsit, Nibahete Danaj konfirmon se ishte zëri i të birit, ndërsa shpërtheu në lot. “Ai është. Unë ia njoh zërin. Nuk e di si ka mundësi ka arritur deri këtu. Mirë me ne, po me shokët”.
