Drejtori i Lartë i Programit Ndërkombëtar për Sundimin e Ligjit dhe Sigurisë në Institutin McCain, Clint Williamson përmes një deklarate publike thotë se Gjykata Speciale po heton krimet e disa individëve dhe nuk ka si qëllim fajësimin e UÇK.
Williamson thotë se këto hetime ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, nuk janë një përpjekje për të rishkruar historinë e luftës së Kosovës.
Gjithashtu ish ambasadori i Përgjithshëm i ShBA për Çështjet e Krimeve të Luftës shprehet se ka qenë në Kosovë në vitet 1998,1999 dhe ka qenë dëshmitarë i krimeve të serbëve në Kosovë, por duhet hetuar dhe krimet e individëve të veçantë që u bën ndaj serbëve pas përfundimit të luftës.
“Disa, për të mbrojtur veten e tyre, janë përpjekur ta paraqesin këtë hetim si një sulm ndaj luftës së Kosovës për liri ose kundër UÇK-së si një organizatë. Shumë kosovarë iu bashkuan UÇK-së me qëllimet më të mira dhe ata kundërshtuan kriminelitetin e shfrenuar që shfaqej pas luftës. Disa prej tyre kanë treguar guxim dhe integritet të madh duke dalë përpara si dëshmitarë dhe duke treguar atë që dinë për ata që morën një rrugë të ndryshme, për ata që në pozicione drejtuese përqafuan kriminalitetin dhe donin të përdorin UÇK-në për të çuar më tej objektivat e tyre personale.”, theksoi Clint Williamson