Partia Demokratike mbledh sot Kryesinë e saj ku priten vendime të rëndësishme, e duket se kryetari Basha është larguar nga retorika e tij duke tentuar të kthejë në parti demokratët e vjetër.
Një prej tyre është dhe ish ministri Genc Ruli, të cilit sipas burimeve të “Panorama” mësohet se i është ofruar një detyrë e rëndësishme në parti.
Pas komisionit të “Vetting-ut”, që drejtohet në selinë blu nga doktor Halim Kosova, Genc Ruli mësohet se do të drejtojë Komisionin që do të bëj seleksionimin e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie që do të propozohen nga baza.
Më pas lista që do të dalë nga ai komision do të votohet një anëtar – një votë.
UDHËZIMI
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do t’i prezantojë sot në orën 11 Kryesisë së Partisë udhëzimin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie.
Dokumenti do të këtë detajime se si do të zhvillohet procedura e propozimit, votimit, selektimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Hartimi i këtij dokumenti iu ngarkua nga Kryesia e PD-së Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy javë më parë, ndërsa mësohet se dokumenti është konsultuar edhe me Institutin Ndërkombëtar Republikan (IRI) pranë Partisë Republikane të SHBA-së dhe me Partinë Konservatore Britanike e Fondacionin Uestminster-it për Demokracinë.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, njoftoi mbrëmjen e djeshme se zhvilloi një konferencë online me bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, ndërsa paralajmëroi se sot do të ketë vendimmarrje të rëndësishme.
“Nesër Kryesia e Partisë Demokratike do të marrë një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare: për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri. Një ditë përpara këtij vendimi të rëndësishëm pata kënaqësinë të falënderoj gjatë një videokonference, z. David Jones, Drejtuesin e Panelit Parlamentar për Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike, dhe z. Thibault Muzergues, Drejtor i Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë në këtë rrugëtim sfidues”, shkroi Basha dje në profilin e tij Facebook.
