Deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri ka akuzuar maxhorancës se po bën pazare me presidentin Meta për ti dhënë kreun e KLSH-së, duke folur për nisjen me një orë vonesë të seancës për shkak të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.
“Ky është parlamenti i Shqipërisë dhe jo selia e PS-së. Seanca ka filluar në 11:00, ndërkohë që duhet të niste në 10:00. Nëse këta nuk kanë kohë të mblidhen 2 orë para për pazarin që po bëni me Metën për t’i dhënë KLSH-në nuk është faji ynë apo i shqiptarëve. Ju për një minutë i hiqni fjalën deputeteve dhe një orë dhunohet Kuvendi se ka mbledhje PS-ja, në emër të grupit ju kërkojmë të mos përsëriten më këto situata.
Në përgjigje të kësaj vërejtjeje, ka reaguar kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci, duke thënë se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më.
“Nuk do përsëritet më, e thashë edhe në nisje të seancës. Eshtë e drejtë ekskluzive e cdo grupi parlamentar të kërkojë ndërprerje e seancës deri në nje orë, por nuk ishte ky rasti, nuk do përsëritet më”- tha ai.
