Rudi Vata parashikon se telashet financiare të Tiranës do të rishfaqen shumë shpejt dhe do t’i krijojnë probleme të mëdha klubit bardheblu. Sipas tij, të gjitha klubet shqiptare përballen me probleme dhe kjo gjë duhet kuptuar mirë nga të gjithë. Në “Pressing” Vata foli edhe për situatën te Vllaznia, duke insistuar se ka ardhur momenti që Bashkia të heqë dorë nga klubi.
“E ndjek gjithmonë kampionatin shqiptar. Jam i interesuar të di se çfarë ndodh atje. Jam i interesuar të shikoj suksesin e skuadrave të rëndësishme, pasi ndikojnë te futbolli shqiptar. Kur shikon emra të mëdhenj që sot vuajnë, nuk është diçka e mirë. Në fakt të gjitha klubet kanë probleme, madje edhe Tirana që është drejt titullit. Së afërmi do shohim një Tiranë me probleme të mëdha, për shkak të borxheve. E kaluara ndikon edhe në të tashmen.
Edhe Tirana do ketë probleme. Mos u mundoni t’i mbuloni gjërat, të vërtetat dihen. Duhet t’u themi njerëzve atë që ekziston dhe çfarë mund të arrihet. Kur lexoj që i detyrohen ish-presidentit, do të thotë se ka borxhe.
Vllaznia? Ata qe ë kanë drejtuar dhe e drejtojnë nuk e kanë kapacitetin të dinë si drejtohet. Që kur sheh stadiumin që kanë, ata janë të privilegjuar. Përzgjedhja e ekipit është problem. A ka pasur Vllaznia kompakt, me ide të mëdha? Jo.
Vllaznia në dekadën e fundit është menaxhuar nga njerëz mediokër, njerëz që nuk u thotë njeri “nadja e mire”. Duhet të kuptohet që bashkia duhet të heqë dorë nga klubi. Nuk i kanë kapacitetit ta menaxhojnë Vllazninë si duhet. Ata që e kanë menaxhuar kanë qenë njerëz nga politika.
Njerëzit që kanë marrë përsipër drejtimin duhet të mbajnë përgjegjësi. Lici është djalë i mirë, është i vetëm. Nuk ka kapacitete për ta menaxhuar. Duhen njerëz të fortë, me zemër, guximtarë, që nuk tërhiqen. Jeta atje është e egër. Të menaxhosh një klub, normal duhet të jesh i ndershëm, duhen njerëz që luftojnë me rivalët”, tha Vata
