Gazetari Artan Hoxha ka kujtuar 6-vjetorin e ndarjes nga jeta të bankierit, Artan Santo.
Me anë të një statusi në Facebook, Hoxha shkruan se menjëherë pasi ekzekutuan Santon, atentatorët u eliminuan për të fshehur gjurmët e krimit.
“Fiks, si sot 6 vite më parë… Asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo ditë.
Një tjetër “çun Tirane”, por jo çun Kombinati, çun Blloku, vazhdon të jetë në pushtet.
Ai miku tjetër, që thoshte se ta donte “të mirën”, e ka marrë nën kontroll të plotë bankën tënde…
Vrasësit!!!! Ah vrasësit?! Ata që tërhoqën këmbëzën, atë mëngjes të nxehtë qershori, mbase mund t’i kesh parë gjëkundi, andej, udhëve të ferrit.
I nisën pas teje për në botën tjetër, për të fshehur gjurmët dhe për të këputur zinxhirin e provave, që të çonin drejt vrasësve të vërtetë. Vrasësit e vërtetë,
ATA që urdhëruan, dhe përfituan direkt nga ajo ngjarje, vazhdojnë të jetojnë “të lumtur”, pasi i kanë larë duart nga njollat e gjakut…
Asgjë nuk ka ndryshuar, fiks si 6 vite më parë…,”-shkruan Hoxha.
