Demokratet kanë nisur fushatën elektorale dhe ky proces ka nisur me përzgjedhjen e kandidateve për deputetë nga anëtarësia.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ se kandidat për deputetë apo për kryetarë bashkie duhet të selektohen sipas një procesi që kalon në 4 faza.
Sipas tij, vendimmarrja finale i ngelet Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
PJESË NGA INTERVISTA
Ka patur zhvillime kryesore për Partinë Demokratike përgjatë javës. Keni
nisur një proces që kandidatët e Partisë Demokratike do të zgjidhen nga
anëtarësia 80% dhe 20% nga kryesia e PD. Çfarë është konkretisht ky
proces?
Gazment Bardhi: Procesi që ne konkretizuam dhe shpallëm është
një detyrim statuor për Partinë Demokratike, i futur për herë të parë në
vitin 2018, ku strukturat qendrore të partisë, përpara vendimit për
përzgjedhjen e kandidatëve, do të duhet të ndjekin një proces konsultimi
me anëtarësinë. Ajo që ne kemi përcaktuar është që kandidatët për
deputetë apo për kryetarë bashkie duhet të selektohen sipas një procesi
që kalon në 4 faza. Së pari, janë anëtarët e partisë që propozojnë
kandidaturat për deputetë apo kryetar bashkie. Më pas, në qendër ngrihet
Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve që bën selektimin apo
seleksionimin e kandidaturave, filtrimin e tyre për të parë, nëse i
përmbushin apo jo kriteret e detajuara dhe të shpallura tashmë me
udhëzimin e miratuar. Dhe më pas emrat që i plotësojnë kriteret që
vlerësohen se mund të jenë kandidatë të mundshëm nën siglën e PD, i
kthehen anëtarësisë së partisë, të cilët, me parimin 1 anëtar, 1 votë,
në një proces votimi të hapur dhe transparent, do të votojë kandidatët
për deputetë.
Më pas është vendimarrja finale që i ngelet Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Përmendet një ndarje 80% me 20%; në fakt mund të ndodhë që kryesia nuk e përdor këtë kuotë që i është lënë me udhëzimin e miratuar. Kuota ka të bëjë, më së tepërmi, me faktin, fjala vjen, të respektohet kuota gjinore ku 30% është detyrim me ligj, edhe nëse kandidaturat e konfirmuara nga Kryesia kanë sjellë një numër të caktuar kandidatësh, që nuk e respektojnë këtë kuotë, atëherë do të duhet të ndërhyjë Kryesia nëpërmjet kësaj kuote 20% që i është lënë. Mund të ndodhë që nuk ka përfaqësues të ish- të përndjekurve politikë apo pronarëve dhe Kryesia do të duhet të ndërhyjë për të patur përfaqësues të këtyre shtresave. Mund të ndodhë që nuk ka përfaqësues të sipërmarrjes, do të ndërhyjë Kryesia që të ketë, e kështu me radhë.
Në Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve flitet që do të
ketë figura që do t’i rikthehen Partisë Demokratike, z. Bardhi. Çfarë
mund të themi për këtë? Madje ka edhe emra të përveçëm, si Genc Ruli,
Arben Imami.
Gazment Bardhi: Në formimin e këtij komisioni, kemi ndjekur
modelet prej të cilëve jemi nisur ta bëjmë këtë demokratizim të
brendshëm të partisë, modelit të Partisë Konservatore në Britani dhe me
asistencën e Institutit Republikan Amerikan. Na ka rezultuar që në këto
panele vlerësimi, në këto komisione vlerësimi, janë gjithmonë figura që
kanë një profil të lartë politik apo publik. Pra, mund të jenë figura që
nuk kanë vetë ambicie për të qenë deputetë apo kryetarë bashkie, ky
është një nga kriteret bazë për të qenë anëtar i këtyre komisioneve, por
janë figura me një personalitet të spikatur dhe një kontribut të
spikatur në parti, por edhe në shoqëri, sepse pjesë e këtij komisioni,
do të jenë edhe përfaqësues të botës akademike. Unë nuk dua të ndalem
tek emrat e veçantë. I kam dëgjuar edhe unë emrat që përfliten, por më
duhet të sqaroj se kjo do të jetë vendimmarrje e Kryesisë në një fazë
tjetër. Pra, ende nuk ka anëtarë të emëruar në Komisionin e Vlerësimit
të Kandidatëve. Do të jetë një proces që besoj do të fillojë rreth
muajit korrik dhe do të përmbyllet jo më larg se data 25 korrik 2020.
Zonja Spiropali, në këtë studio, u shpreh se vetë i përzunë
nga Partia Demokratike dhe vetë i kërkojnë që të kthehen. A ka njohur
gabime në vetvete PD për figurat që vërtet kanë kontribuar për këtë
parti dhe që ju thoni kemi marrë mësime nga këto figura?
Gazment Bardhi: Së pari, fakti që komenton zonja Spiropali nuk më detyron mua të kthej një përgjigje, por duke qenë se ka folur për personalitete të Partisë Demokratike, sigurisht që unë kam një mesazh. Nuk ka asnjë të larguar nga Partia Demokratike. Sigurisht, që me kalimin e kohës, siç ndodh me çdo parti politike, disa figura të caktuara që kanë qenë edhe në poste të larta drejtuese apo poste të larta përfaqësimi brenda PD, zëvendësohen apo largohen nga këto pozicione politike apo publike. Mirëpo kjo nuk nënkupton në asnjë rast largimin nga partia. Kjo nuk nënkupton, në asnjë rast, që këta persona apo individë, personalitete të partisë, nuk kanë kontribut për të dhënë ende në mbështetje të PD-së, por mbi të gjitha në mbështetje të demokratëve në të gjithë Shqipërinë, të cilët kanë investuar besim dhe mbështetje ndër vite tek figurat që i kanë përfaqësuar ata në të shkuarën apo edhe tani në PD.
Zoti Bardhi, me këtë lëvizje a do të thotë që kryetari i PD e ka lënë përgjegjësinë më tepër tek anëtarësia?
Gazment Bardhi: Nuk bëhet fjalë për përgjegjësi, bëhet fjalë
për ndarje të pushtetit. Sigurisht që kryetari i partisë, kryesia e
partisë, Këshilli Kombëtar i partisë kanë përgjegjësitë e tyre
statutore. Me këtë vendim të marrë nga kryesia e partisë, kryetari dhe
kryesia kanë vendosur të ndajnë pushtetin e tyre statutor me anëtarët e
partisë. Sepse ne jemi një forcë politike, ne jemi një familje, kemi mbi
100 mijë anëtarë dhe vendimet e rëndësishme, si caktimi i përfaqësuesve
politikë nën siglën e partisë tonë, do të duhet të jenë vendimmarrje e
përbashkët me të gjithë anëtarët e partisë.
Kur ju pyeta për gabimet e PD dhe kur flasim për listat,
teksa kujtojmë apo sjellim në vëmendje listën e zgjedhjeve, ku Partia
Demokratike dhe vetë zoti Basha i ka njohur gabimet me hartimin e kësaj
liste, e gjithë kjo a vjen edhe si pasojë e kësaj zoti Bardhi?
Gazment Bardhi: Sigurisht që ndryshimet statutore nisën edhe
për shkak të atij gabimi që ju thoni se është pranuar nga kryetari. Ajo
që unë mund të them është që, sa herë bëhet fjalë për emra, gjithmonë ka
pakënaqësi, sepse lista e deputetëve përbëhet në totalin e vet prej 140
kandidatëve, ndërkohë që ne jemi një parti që kemi mbi 100 mijë anëtarë
dhe të garantoj që kemi burime njerëzore për të pasur një listë me 1400
kandidatë, që janë të gjithë të të njëjtës performancë dhe të së
njëjtës cilësi apo edbe të 14 mijë kandidatëve. Por në një moment të
caktuar do të duhet të marrësh vendime për të caktuar në listë vetëm 140
prej tyre. Kjo nuk do të thotë që 140 janë të vetmit anëtarë që mund të
përfaqësojnë demokratët dhe qytetarët shqiptarë, qoftë në qeverisjen
lokale, qoftë në qeverisjen qendrore, por do të thotë që momenti apo
situata ka diktuar përzgjedhjen e këtyre emrave. Prandaj, unë nuk flas
dhe nuk mund të flas për gabime në proces përzgjedhje emrash. Kur bëhet
fjalë për të përzgjedhur emra, gjithmonë ka pakënaqësi, gjithmonë mund
të bëhen gabime. Është një proces normal njerëzor, që krijon pakënaqësi
dhe një lloj zhurme mediatike.
Po për figurat e reja, çfarë vendi do t’u lihet në Partinë Demokratike?
Gazment Bardhi: Një ndër arsyet pse ne i kemi lënë një kuotë të
caktuar kryesisë, është për të patur mundësi që Kryesia të
indentifikojë personalitete publike, apo individë që vijnë nga bota
akademike, apo të rinj nën 35 vjeç, që të jenë pjesë e listave të
Partisë Demokratike, apo të përfaqësojnë Partinë Demokratike në
zgjedhjet lokale dhe qëndrore. Shpesh, personalitete të caktuara,
afrohen për shkak të bindjeve të tyre dhe qëndrimeve të njëjta që ndajnë
për mënyrën sesi do të duhet një parti politike të qeverisë, afrohen me
një parti politike. Kjo, jo domosdoshmërisht,
nënkupton që duhet të kalojnë filtrin normal të karrierës që e nis si
anëtar i thjeshtë i partisë dhe e përfundon si përfaqësues i saj më i
lartë në nivelet e qeverisjes qëndrore apo lokale. Kjo është arsyeja
përse ne e kemi lënë këtë kuotë për kryesinë.
Ndërkohë që nëse tek të rinjtë i referohesh moshës, pra të rinjve në
moshë, Statuti i Partisë Demokratike ka një kuotë për përfaqësimin e të
rinjve në Kuvend, në Këshillat Bashkiakë dhe kandidatët për Kryetarë
Bashkie. Kjo kuotë, sipas Statutit, për kandidatët për deputetët për
deputetë është jo më pak se 5%, ndërkohë që, me propozim të Kryetarit të
Partisë, kjo kuotë është dyfishuar, Pra, të rinjtë nën moshën 35 vjeç,
do të përbëjnë jo më pak se 10% të listës së kandidatëve për deputetë
apo kryetarë Bashkie të Partisë Demokratike.
Pasi të mbarojnë këto katër faza, kush do ta bëjë klasifikimin e listave të kandidatëve?
Gazment Bardhi: Së pari, do të ketë një metodologji të përcaktimin të renditjes, që do të lidhet me shumatoren e votave që çdo zonë e caktuar zgjedhore sjell për Partinë Demokratike.
Së dyti, vetë kuota apo ndarja që është vënë në vendimin e djeshëm, që jo më pak se 80% do të duhet të jenë nga kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia dhe jo më shumë se 20% do të duhet të jenë prurje jashtë këtij procesi nga Kryesia, nënkupton që më shumë sesa 70% e listës finale në renditjen fituese të listës për deputetë, do të jenë nga kandidatura që kanë marrë konfirmimin nga Kryesia./ BW
