Aleksandro Mata apo i njohur ndryshe si Eno Mata, 32 vjeç është një nga shtetasit shqiptar më të kërkuar në Greqi.
Mata është në kërkim prej më shumë se një viti pasi akuzohet për vrasjen e avokatit grek Mixaleis Zafeiropoulos , ngjarje e ndodhur në Tetor të vitit 2017 në Athinë.
Por ndërkohë që policia e shtetit grek e kanë në listën e zezë të tyre, shqiptari vijon të jetë i lirë madje të bëjë edhe grabitje.
Ai është shfaqur këtë të enjte në Athinë, ku thuhet se ka marrë pjesë në grabitjen e një argjendarie në lagjen “Ambelokipi” të Athinës.
32 vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij sulmuan argjendarinë dhe nën kërcënimin e armës morën bizhuteri.
Mata është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit dhe është identifikuar nga ana e hetuesve grekë, të cilët tashmë po e kërkojnë prej më shumë se një viti.
Në Qershor të vitit 2018, Eno Mata kishte marrë pjesë në një tjetër grabitje, ku kishte lënë edhe një shënim për policinë me mbishkrimin “Maradona fluturues” dhe thoshte se nuk është i përfshirë në vrasjen e avokatit Zafeiropoulos.
