Adjola Lakra, 26-vjeçarja e përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës do të qëndrojë në burg si ndihmëse në vrasjen e 40-vjeçarit.
Mjaft e qetë në gjykatë ajo priste vendimin, teksa avokati i 26-vjeçares duke folur për median tha se ajo është mbajtur në burg thjesht për shkak të helmimit që i është bërë opinionit, nga të pavërtetat, siç tha.
“E vërteta me sa duket nuk është as ajo që ka ndodhur dhe as ajo që provohet. E vërteta qenkan shpifjet që publikohen në gazeta. Vajza nuk i ka thënë kurrë ato që nxirrni ju. Shumë shpejt kur të dalë e lirë do flasim prapë. Sot ajo ngeli në burg për shkak të helmimit që i është bërë opinionit. I vetmi moment mëkat mund të them është fatkeqësia që përpara se të njihte viktimën ka njohur një prej të dyshuarve. Ajo po hetohet në rolin e ndihmës por do ta kuptoni që as këtë rol nuk e ka”,- tha ai.
Po sipas tij, nuk ka prova që të faktohet akuza ndaj vajzës. “Të vetmet prova janë vetëm deklarimet e saj të sinqerta. S’ka pasur dijeni për rastin, s’ka qënë në dijeni se kishte gjakmarrje në mes. Ditën e ngjarjes ajo s’ka telefonuar njeri, por e kanë telefonuar. U garantoj që asnjëherëe as e ka ditur as është paguar. Njohja me Billën është bërë nëpër rrjetet sociale. Por nuk do them gjë më shumë, pasi nëse vazhdoj mund të cënoj hetimin”,- tha ai.
