Policia e Shtetit bën të ditur se tre persona janë ekstraduar nga Italia dhe Greqia pasi kanë qenë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për vepra të ndryshme penale.
NJOFTIMI
Interpol Tirana
Vijojnë operacionet e përbashkëta mes Interpol Tirana dhe homologëve, për kapjen dhe ekstradimin e personave që i shmangen përballjes me organet e drejtësisë dhe vuajtjes së dënimeve.
Si rezultat i bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana me homologët, u bë i mundur ekstradimi nga Greqia dhe Italia i tre shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga organet e drejtësisë shqiptare.
U ekstradua nga Greqia shtetasi Altin Gjergji, 37 vjeç, banues në Pukë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me 6 vjet e 6 muaj burg, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
U ekstradua nga Greqia shtetasi Renato Rama, 26 vjeç, banues në Tepelenë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
U ekstradua nga Italia shtetasi Ergys Rexha, 31 vjeç, banues në Peqin, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me 2 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”.
