Zhaneta Josifi dhe vajzat e saj Anisa dhe Blerta besonin tek ringjallja, duke ndjekur sektin fetar Dëshmitarët e Jehovait. Ngjarja e rëndë u zbulua pasditen e të enjtes, ku në shtëpinë që jetonin në Kombinat është gjetur e pajetë nëna dhe njëra prej vajzave, ndërsa tjetra në gjendje të rëndë.
Ka qenë vëllai i Zhanetës që ka sinjalizuar policinë pasi motra e tij dhe mbesat nuk i përgjigjeshin në telefon dhe nuk e hapnin derën e shtëpisë.

Balkanweb disponon një foto të tyre. Mësohet se Zhaneta Josifi, me origjinë nga Ogreni dhe bashkëshorti i saj, Lluke Josifi nga Benja (Larguar nga jeta 5 vite më parë) pas 1990-tës u vendosën në Përmet familjarisht, bashkë me dy vajzat e tyre. Bashkëshorti i të ndjerës ishte themelues i bashkësisë të një sekti fetar në Përmet (Dëshmitarët e Jehovait).
Po ashtu, bëhet e ditur se 56-vjeçarja punonte në treg, ndërsa burri i saj ishte mësues. Pasi bashkëshorti i saj ndërroi jetë, ajo bashkë me vajzat, të cilat kishin mbaruar dhe gjimnazin në Përmet, u transferuan në Tiranë për një jetë më të mirë.
