Shefja e shërbimit infektiv të pediatrisë, Gjeorgjina Kuli ka dhënë detaje të reja lidhur me foshnjen dy muajshe të prekur nga koronavirusi. Prej nisjes së pandemisë është shtrimi i parë në spital tek fëmijët, ndërsa Kuli tha se gjendja e tij dhe e nënës është e stabilizuar.
“Nga komunikimet e mëparshme që kemi pasur me infeksionet te fëmijët u kemi vënë në dijeni për numrin e fëmijëve që kanë rezultuar pozitiv dhe deri në ditën e pardjeshme ne nuk kemi pasur asnjë fëmijë të hospitalizuar. Parmbrëmë është hospitalizuar një foshnjë 2 muajshe, me një bronkopneumoni pa një insuficencë respiratore dhe në ndjekje që kemi bërë ka rezultuar dhe nëna e infektuar. Të dy janë të hospitalizuar tek ne për shkak të veçorisë dhe laktacionit që fëmija nuk mund të shkëptutet nga nëna, janë në trajtim dhe mbikqyrje nga mjekët pediatër. Për momentin gjendja është e stabilizuar, që mbrëmë të dy nuk kanë referuar shifra të larta temperature, vazhdojnë marrjen e mjekimit dhe plotëismin me ekzaminime të tjera laboratorike”, tha dr Kuli.
Në total 110 fëmijë rezultuan të prekur me koronavvirus dhe aktivë janë vetëm 25% e rasteve, ndërsa pjesa tjetër është negativizuar. Por shtrim në spitale përveç foshnjes dy muajshe nuk ka pasur.
