Mjeku Pëllumb Pipero ka folur sot për situatën e COVID-19 në Shqipëri. Pipero në një intervistë në “Zonë e Lirë”, u shpreh se ka ardhur momenti që mbajtja e maskës të bëhet e detyrueshme.
Pipero tha se deri dje ai ka thënë që të mos mbahet maska në rrugë, por tani ka ardhur momenti që maska të mbahet kudo, pasi situata është shumë e rënduar.
“Unë them se ka ardhur momenti që të bëhet me detyrim ligjor mbajtja e maskës. Unë kam thënë se maska nuk duhet të përdoret në rrugë. Edhe sot them që të mos jetë e detyruar që të mbahet në rrugë, por nëse qytetarit nuk i bëhet shprehi dhe të mos mbajë maskë me vete duhet të behet me detyrim edhe në rrugë. Nëse nuk mbahet dot distanca, në markete në zyra dhe në çdo mjedis të mbyllur, maska duhet të bëhet me detyrim”, tha mjeku.
Më tej ai u shpreh se “nëse maska sot bëhet me detyrim dhe nesër përdoret, numrat e personave të prekur do të bien, do të pjestohen me 4”.