Numri i të shtruarve në spital është rritur ndjeshëm ndërkohë që dhe vetë ministrja e Shëndetësisë Manastirliu paraditen e kësaj të shtune bëri të ditur se ka shtrime dhe të moshave të reja me simptoma të rënda.
Sipas të dhënave zyrtare të MSH-së, aktualisht janë të shtruar në Spitalin infektiv 88 pacientë, tetë prej të cilëve janë në terapi intensive dhe një është i intubuar.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.
Kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura.
Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura. Suksesi do të varet nga sjellja individuale e çdo qytetari.
Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19″, tha Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
