Kjo e dielë ka sjellë trafik të rënduar në rrugët kryesore në vend si pasojë e dyndjes së qytetarëve në zonat bregdetare si dhe reshjeve të dendura të shiut.
Me një postim në facebook, Policia e Shtetit bën me dije se ka ende fluks automjetesh në aksin Radhimë – Uji i Ftohtë, Vlorë, por lëviz rrjedhshëm.
Ndërkohë, për të hyrë në Tiranë, në rast fluksi, policia sugjeron shoferët të marrin rrugët alternative, Rrogozhinë – Elbasan – Tiranë dhe Plepa, Durrës – Ndroq – Tiranë.
Po ashtu, Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve që të respektojnë rregullat si dhe të kenë kujdes me shpejtësinë, pasi në disa akse ka ende prezencë lagështie.
