“Nuk duam punëtorë nga Shqipëria…”. Një shqiptare 31-vjeçare në Zvicër mbeti e habitur teksa po shihte njoftimet për vende pune në një faqe të njohur. Ajo po shihte portalin Jobroom, kur një njoftim theksonte se nuk duan të marrin në punë njerëz nga vende të ngrohta.
“Klienti ynë nuk i dëshiron punonjësit nga vende të ngrohta si Shqipëria, Kroacia apo Turqia,” thuhej në njoftim. Shqiptarja S. Arifi tha se mbeti e shokuar.
“Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në jetën time,” tha ajo për portalin. “Nuk lexoja dot më njoftime. Po sikur të kishte të tilla gjëra raciste dhe të çuditshme,” tha ajo.
Kompania që kishte hedhur njoftimin kërkoi falje dhe tha se ishte bërë një gabim. “Të gjithë jemi qytetarë të botës. Ne i vlerësojmë njerëzit shumë,” tha kompania.
