Policia e shtetit vijon kontrollet derë me derë, sipas dhe urdhrit që dha pak kohë më parë vetë Ardi Veliu për personat e prekur nga koronavirusi. Kontrollet vijojnë për të mos thyer karantinën e për të mos përhapur kështu koronavirusin në vend. Video më poshtë vjen nga policia në Shkodër.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariateve në varësi të saj kanë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme në banesat e personave të prekur nga COVID-19, me qëllim respektimin me rigorozitet të vetëkarantinimit.
Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur dhe rastet e reja. Në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.
Policia e Shkodrës apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë në mbrojtjen nga COVID-19.
