Një ditë pasi Gjykata e Apelit liroi ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, ky i fundit ka lënë ambientet e spitalit ku ndodhej i shtruar prej dy ditësh dhe është rikthyer në shtëpi.
Sipas vendimi Agim Kajmaku duhet të paraqitet 2 herë në muaj në prokurori. Seanca e radhës për ish-kryebashkiakun e Vorës do të zhvillohet në datën 15 korrik.
Një ditë më parë trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Elona Tora, Albana Lluri dhe Zengjine Sallaku ndryshuan masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Detyrim paraqitje”. Ka qenë vetë organi i akuzës, i përfaqësuar nga Arta Marku që ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë me argumentin se Kajmaku nuk mund të qëndronte në burg për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Kajmaku u arrestua dy ditë më parë pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spitalin privat “Continental” për shkak të diabetit. Ai ishte shpallur në kërkim që prej 9 nëntorit 2019 dhe akuzohej për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.
