Komisioni i Ligjeve diskutoi sot sot lidhur me ndryshimet kushtetuese që do të bëhen që nisin me listat e hapura, heqjen e koalicioneve parazgjedhore si dhe uljen e pragut elektoral.
Një prej relatoreve të këtyre ndryshimeve në ligjin themeltar të shtetit është edhe deputetja Ediola Braha, e cila ka dalë nga listat e LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, por CV-ja e saj lë shumë për të dëshiruar, veçanërisht në njohuritë e saj juridike.
Ka qenë gazetarja Esiona Konomi, ajo që ka bërë publike CV-në e deputetes, e cila ka mbaruar Universitetin në një shkollë private, që tashmë është mbyllur, dhe tashmë do të propozojë të ndryshojë Kushtetutën, pa pasur më parë një konsultim mes ekspertëve.
“Më vjen të ulëras! Unë dhe ju, duhet të presim deri pasditje, që zonja deputete me CV e mëposhtme, të japë kontributin e saj për ndryshimet Kushtetuese, ndalimin e koalicioneve, hapjen e listave, apo se çfarë pragu elektoral do të kemi.
Pra, znj. Braha, është caktuar nga opozita parlamentare si një prej relatoreve për amendimet në Kushtetutë. As arsim minimal juridik, asnjë ekperiencë në cështjet e legjislative, e aq më pak në rangun e kushtetutshmërisë. Hidhini një sy arsimit dhe eksperiencës së saj në punë dhe krijojini vetë pritshmëritë. (Asgje personale. Faktet.)”, shkruan gazetarja Konomi në postimin e saj.


