Modeli i ri i Prokurimit të Përqendruar sjell një qasje të transformuar në realizimin e prokurimeve publike, duke zhvendosur fokusin nga procedurat te rezultatet, përmes centralizimit strategjik, digjitalizimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Gjatë prezantimit të modelit të ri, Kryeministri Edi Rama theksoi se ky transformim do të sjellë më shumë siguri, shpejtësi dhe transparencë në përdorimin e fondeve publike, duke e çuar prokurimin publik drejt standardeve europiane dhe një administrimi të specializuar, ku teknologjia do të mbështesë çdo hallkë të procesit, ndërsa vendimmarrja do të mbetet njerëzore.
“Është edhe Gjoni që do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve publike. Kur Diella bashkë me Gjonin do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj që dhe dua të shpresoj që krijohet bindja që po ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë. Patjetër që sfida e sfidave mbetet realizimi i kontratave dhe lidhja e tyre. Nga realizimi i kontratave dhe deri në përfundim ka dobësi që ndonjëherë janë dramatike. Saqë ndonjëherë opinioni publik sakëlldiset”, tha kryeministri Edi Rama.
