“Koalicionet nuk ndalohen, nuk mund dhe nuk do ndalohen”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama teksa sqaroi se nuk bëhet fjalë për ndalimin e koalicioneve por po krijon një kuadër ku koalicionet do funksionojnë si në çdo vend të Europës.
Dhe në fakt, ky propozim i tij nuk ndalon koalicionet ama rrezikon seriozisht Lëvizjen Socialiste për Integrim që sot drejtohet nga Monika Kryemadhi.
Lista e hapur mundëson që forma e vetme e koalicionit, pra bashkëpunimit parazgjedhor, të bëhet vetëm me bashkim liste.
Sipas kësaj formule, nëse PD bën koalicion me LSI dhe partitë e tjera opozitare, të gjitha këto parti bashkohen në një subjekt të ri dhe të gjithë regjistrohen me një listë të përbashkët prej 140 deputetësh.
Por duke qenë lista të hapura, zgjedhësit do kenë mundësi të zgjedhin direkt se cilin duan të votojnë dhe këtu sigurisht është e favorizuar Partia Demokratike në krahasim me LSI apo partitë e tjera që rrezikojnë mos marrin asnjë deputet.
Për ta bërë fakt këtë, Ramës i duhet të miratojë ndryshimet Kushtetuese në Kuvend dhe që t’i miratojë i duhen 94 vota të cilat mund t’i arrijë me dakordësinë e opozitës parlamentare.
